Louise Glück – Kopshti Veror

KOPSHTI VEROR
Louise Glück [ 1943-2023, ShBA ] – Çmimi Nobel për Letërsi, 2020 – “…për zërin e saj të pagabueshëm poetik, që me një bukuri të përpiktë ekzistencën individuale e bën universale

3.
Sa i qetë kopshti;
asnjë puhi s’e trazon qershinë korneliane.
Vera ka ardhur.

Sa qetësi
tani kur jeta ka triumfuar. Trungjet

e vrazhdta të panjes
mbajnë raftet e palëvizshme të gjetheve,
lëndina poshtë harlisur, e ylbertë –

Dhe n’mes të qiellit,
Zoti (Dielli) jomodest.

Gjërat janë, thotë ai. Janë, nuk ndryshojnë;
përgjigja nuk ndryshon.

Sa heshturake, skena
si dhe audienca; duket sikur
dhe frymëmarrja është trazim.

Ai duhet t’jetë aq afër,
as fijet e barit s’kanë hije.

Sa qetësi, ç’heshtje,
si një pasdite në Pompei.

© Louise Glück – Burimi: revista “Poetry”, Janar, 2012
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2020
© Nobel Media – Ilustrimet e laureatëve: Niklas Elmehed

(pak fjalë – s. guraziu, tetor 2020)
Louise Glück konsiderohet njëra nga poetet më të rëndësishme në letërsinë bashkëkohore amerikane, poezia e saj shquhet për saktësinë teknike, për ndjeshmërinë apo për mënyrën se si, me një ndjeshmëri të hollë poetike, angazhohet rreth temave si izolimi, vetmia, marrëdhëniet ordinere familjare, divorci, zhvillimi shpirtëror i qenies në përballjen me vdekjen etj., zëri i saj poetik është shpesh i drejtpërdrejtë, i pagabueshëm dhe ka një bukuri të përpiktë gjuhësore, afër gjuhës së zakonshme, me përsëritjen dhe saktësinë ritmike gjuha e saj poetike bëhet origjinalisht e “pazakonshme” – thuhej në një notë zyrtare të Nobelit, ndërsa lexuesit thonë se poezia e saj është relativisht e lehtë për t’u lexuar, por që brenda ka dhe thellësinë e gjerësinë – që nga v. 1968 kur pati debutuar, Glück ka publikuar 12 vëllime poetike si dhe disa vëllime eseistike (lidhur me poezinë), mund t’thuhet se poetja është dhe “mësuese” e poezisë (ligjëron në Yale University, Connecticut), është nderuar pothuaj me të gjitha çmimet e mirënjohjet e skenës letraristike amerikane, përfshirë dhe çmimin “Pulitzer” (1993), në v. 2015, nga Presidenti i atëhershëm Barack Obama, iu dha Medalja Kombëtare e Shkencave Humane, para ca kohësh u nderua dhe me çmimin Nobel “…për zërin e saj të pagabueshëm poetik, që me një bukuri të përpiktë ekzistencën individuale e bën universale”…